I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, eksperti i natyrës dhe turizmit malor Petrit Imeraj ka folur për turizmin malor dhe dëmet që ka shkaktuar covid-19. Imeraj deklaroi se alpet kanë potenciale të jashtëzakonshme, por duhet të kenë një njësi për mirëadministrimin dhe zhvillimin e vendit.
“Alpet janë në fokus të gjithëve, pasi kanë një potencial të madh të vlerave natyrore, të biodiversitetit, ndaj është një rëndësi që duhet të vijë në përmirësim, në sajë të menaxhimit të kësaj pasurie. Alpet kanë qenë të diktuara në shekuj si potencial i madh në Ballkan, nuk i përkasin një komuniteti të caktuar dhe janë pasuri kombëtare e aset shumë i rëndësishëm, ndaj kërkon një vëmendje shumë të madhe. Alpet janë unike, menazhimi i tyre është standard kombëtar, ndaj është përgjegjësi qeverisëse, ndonëse duhet theksuar se është bërë një punë e mirë e pushtetit vendor, ku janë mbi 25 kryetarë komunash që menaxhojnë alpet. Një komunë e vogël e kishte të pamundur të investonte në infrastrukturë. Alpet kërkojnë të kenë Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit, rojtar institucional, pra dikë që e unifikon produktin. Turizmi alpin ka nisur në kushte të vështira, jam përballur që në vitin 2000, ku malësorët prisnin deri në 22 persona në kushte të pamundësisë. Turizmi na ka nxjerrë në pah problematika të mëdha sociale, kemi Shalën me zero turizëm, pra jo të gjithë e kanë traditë turizmin”-deklaroi Petrit Imeraj.